Липково: NJOFTIM ME RËNDËSI

објавено во Општински вести | 0
Për banorët e Komunës së Likovës

Komuna e Likovës njofton të gjithë banorët se, në përputhje me vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave si dhe udhëzimeve të dhëna nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut,nga data 1 korrik 2026 deri më 31 gusht 2026 hyn në fuqi ndalesa e plotë e lëvizjes në pyje dhe në tokat pyjore, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësirë të hapur.

Gjatë kësaj periudhe, lëvizja në pyje do të lejohet vetëm me leje me shkrim, të lëshuar nga njësitë përkatëse të NP “Pyjet Kombëtare” dhe Parqet Kombëtare, për zonat që janë nën administrimin e tyre.

Komuna e Likovës u bën thirrje të gjithë banorëve që ta respektojnë këtë ndalesë dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbeturinave, hedhja e cigareve të ndezura apo aktivitete të tjera që paraqesin rrezik për pyjet dhe mjedisin.

*Gjithashtu, banorët që posedojnë ferma, shtëpi vikendi, stane apo prona të tjera në zonat pyjore, janë të obliguar ta respektojnë këtë ndalesë dhe, në rast nevoje për lëvizje në këto zona, “PARAPRAKISHT TË PAJISEN ME LEJEN PËRKATËSE NGA NP “PYJET KOMBËTARE”-NJËSIA RAJONALE NË KUMANOVË”.

Për mosrespektimin e kësaj ndalese, personave fizikë që do të konstatohen duke lëvizur në pyje ose në tokë pyjore në kundërshtim me ndalesën, do t’u shqiptohet gjobë nga 1.500 deri në 2.000 euro në kundërvlerë në denarë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Apelojmë për bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë banorët, me qëllim mbrojtjen e pyjeve, pronës, mjedisit dhe sigurisë së njerëzve.


Извор: Општина Липково